Modern dhe i domosdoshëm – këto fjalë mund të përshkruajnë konceptin për arsimin ndërkulturor, të zhvilluar nga Qendra për Dialog Nansen në Shkup (QDN) me kërkesë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Maqedonisë së Veriut (MASH) në 2015. Koncepti pranohet nga MASH si një dokument zyrtar dhe është në dispozicion në faqen e internetit të Ministrisë.

Nevoja për një koncept të tillë në arsim ka lindur jo vetëm për shkak të natyrës multikulturore të shoqërisë sonë, por si një nevojë e çdo shoqërie moderne që po ndryshon për shkak të migrimeve globale, si dhe traditës shumëgjuhëshe dhe multikulturore të kultivuar në shumë demokraci evropiane dhe botërore.

Për më tepër, shoqëria në Maqedoni po përballet me një sfidë tjetër – një tendencë për shkolla monoetnike. Vetëm 19 përqind e shkollave fillore në Maqedoninë e Veriut kanë mësimdhënie në 2 gjuhë, dhe në më pak se 5 përqind – në 3 gjuhë. Disa shkolla quhen multietnike, por në fakt, mësimdhënia mbahet në hapësira të ndryshme, shkolla qendrore dhe periferike të ndara që janë njëgjuhëshe, me nxënës nga bashkësi të ndryshme etnike që rrallë herë përzihen. Kjo krijon paragjykime dhe stereotipa tek nxënësit që kontribuon edhe më shumë drejt ndarjes.

Arsimi ndërkulturor karakterizohet nga bashkimi, solidariteti, respekti, toleranca, ndihma, besimi dhe vlera të tjera universale njerëzore.

Koncepti i QDN për Arsimin Ndërkulturor është një dokument strategjik zhvillimor me një mision për të promovuar të drejtën kushtetuese dhe ligjore për arsim të barabartë për të gjithë, për të kultivuar identitetin etnik dhe kulturor të secilit, si dhe për të pranuar dhe respektuar diversitetin. Kjo do të arrihej përmes aktiviteteve dhe përmbajtjeve që promovojnë ndërkulturalizmin në procesin arsimor.

Vlerat themelore të arsimit ndërkulturor përcaktohen në dokumentet ndërkombëtare që nga mesi i shekullit të kaluar dhe përmbajnë udhëzime për zhvillimin e arsimit në Evropë dhe më gjerë.

Përmbajtja e konceptit për arsimin ndërkulturor është baza për ndërtimin e politikave arsimore që do të mundësojnë përfshirjen e barabartë të anëtarëve nga bashkësi të ndryshme etnike në edukim dhe veprimtari arsimore.

Parimet e këtij koncepti të vitit 2015 zbatohen në procesin e edukimit dhe arsimit në shkollat ​​fillore dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut dhe tashmë po japin rezultate pozitive në disa shkolla.

Për ta lexuar dhe shkarkuar Konceptin për arsim interkulturor, Ju lutemi klikoni në vegëzat në vazhdim:

Anglisht

Maqedonisht

Shqip